Përsosja profesionale e arsimtarëve PDF Print E-mail
There are no translations available.

Xhemali Beluli

 


 

“Për përmirësimin e arsimit janë të nevojshëm arsimtarë që i kuptojnë përmirësimet  e parapara dhe të cilët me gjithë zemër i përkrahin.”

Bruner



MËNYRAT E MUNDSHME TË  ZHVILLIMIT DHE TË PËRSOSJES PROFESIONALE NË SHKOLLË


Zhvillimi i hovshëm i teknikës dhe i teknologjisë në dy shekujt e fundit, ka ndikuar në masë shumë të madhe edhe në ndryshimet rrënjësore si në procesin e mësimdhënies nga ane e subjektëve që e realizojnë këtë proces , ashtu edhe në vet procesin e mësimnxënies nga ana e atyre të cilëve u dedikohet mësimi. Pra, kemi te bejmë me një interakcion të shumfishtë, me një ndërlikueshmëri shumë të madhe te vet procesit mësimor, të teorisë dhe praktikës mësimore, të didaktikës dhe të teknologjisë mësimore.
Të arriturat e reja në të gjitha fushat shkencore kërkojnë adaptimin dhe përpunimin didaktik të tyre nëse dëshirojmë që ato të gjejnë vend në planet dhe në programet mësimore. Aktualizimi i mësimit është domosdoshmëri e kohës, determinante e mësimit bashkëkohor. Në të kundërtën shkolla do të ngel prapa kohës, ajo do të vendnumrojë dhe nuk do të jetë në gjendje që t’i përgadisë të rijtë për tu ballafaquar me sfidat e kohës dhe të jetës. Një nga detyrat themelore të shkollës në të gjitha nivelet është përgatitja e nxënësve për të ardhmen.
Por, shkolla nuk do të mund ta realizojë këtë qëllim nëse vet kuadri mësimor, vet mësuesit nuk janë në rrjedhe me kohën. Çdo ngecje e tyre në këtë aspekt, nënkupton edhe ngecje prapa e shkollës dhe e procesit mësimor. Mësimi bashkëkohor nuk mund të realizohet me njohuri të vjetruara, me teknologji të vjetruar mësimore, me njerëz të cilët i ka shkelur koha. Mësimi bashkëkohor nuk duron improvizues dhe mësues herbartian.
Në këtë punim seminarik do të mundohem që t’i paraqes aspektet e nevojës shoqërore dhe profesionale të përsosjes profesionale të arsimtarit i cili tërë potencialin e vet intelektual ia kushton punës në shkollë dhe realizimit sa më të suksesshëm të qëllimeve dhe detyrave që burojnë nga plani dhe programet mësimore.

 

1. PSE ËSHTË E RËNDËSISHME PËRSOSJA PROFESIONALE E ARSIMTARËVE

Sistemi arsimor i çdo vendi duhet tu përgjigjet  imperativave ekonomike dhe shoqërore që para tij i vë rendi i ri shoqëror dhe ekonomia e tregut, sepse ndërrime dramatike do të ndikojnë në njohuritë, shkathtësitë dhe në vlerat që u janë të nevojshme njerëzve.
Që të arrihen këto qëllime është e domosdoshme të bëhen ndryshime fundamentale në sistemin arsimor. Kjo ka të bëjë para së gjithash  në ndryshimin e metodave, përmbajtjes dhe të zgjatjes së procesit mësimor. Kuptohet arsimtarët janë pika kulmore e procesit mësimor andaj edhe një nga shtyllat e ndryshimeve. Prandaj, përsosja permanente e arsimtarëve, krahas arsimimit bazik fillestar, bëhet pjesë gjithnjë e me e rendësishme në kërkesat për zhvillimin profesional të arsimtarëve.

 

 

Trajnimi dhe përsosja profesionale e arsimtarëve ndikojnë në mënyrë direkte në kualitetin e procesit arsimor gjegjësisht në suksesin dhe në zhvillimin efektiv të nxënësit dhe në kyçjen e tij në jetë dhe në punë.
Nga kjo del se një nga qëllimet e arsimit bashkëkohor në Evropë është zhvillimi i sistemit konzistent të përsosjes profesionale të arsimtarëve që do të reflektojnë kualitete të reja të të mësuarit dhe të mësimdhënies, do tu mundësojnë nxënësve zhvillim optimal dhe që do të jenë kompatibile me standardet  e shumicës së vendeve evropiane.
Përsosja profesionale e arsimtarëve  është karakteristikë thelbësore e vet profesionit të tij. Secili profesion e ka të zhvilluar sistemin e përsosjes së përhershme  sepse gjatë kohës së arsimit bazik nuk mund të përvetësohen të gjitha finesat dhe njohuritë dhe shkathtësitë që janë të nevojshme për vendin  e caktuar të punës. Pastaj në këtë kohë, për shkak të aglomeracionit dhe të akcelerimit të njohurive ato shumë shpejtë vjetrohen. Për këtë arsye arsimimi i arsimtarëve duhet të rrjedh gjatë tërë jetës.
Arsimimi gjatë tërë jetës i arsimtarit dhe përsosja e tij profesionale i ka katër detyra kryesore:
1.tek arsimtarët të zhvillojë aftësi për zgjidhjen e problemeve në klasë;
2.t’i aftësojë arsimtarët për përmirësimin e programit;
3.t’i aftësojë arsimtarët për arritjen e qëllimeve të veta profesionale dhe
4.t’i motivojë arsimtarët për mësim të përhershëm që u nevojitet jo vetëm për ngritjen profesionale por edhe për pengimin e paraqitjes së lodhjes, rutinizmit dhe të mërzitjes nga puna.
Këto detyra janë në funksion të zhvillimit të arsimtarit  dhe jo në funksion të arsimit kompenzues. Kjo nuk do të thotë se nuk ka nevojë edhe për arsimim kompenzues të arsimtarëve. Arsimimi gjatë tërë jetës nuk mund të përmblidhet vetëm në përmirësimin e mungesave të arsimimit paraprak, por duhet të orientohet në zhvillimin e mëtejmë dhe në përsosjen profesionale të arsimtarit.

1.1.Parimet e përsosjes së dobishme profesionale të arsimtarëve
Duke folur për problemin e përsosjes profesionale të arsimtarëve që realizohet në shkollë dhe duke e lidhur këtë me përparimin e punës së shkollës në tërësi, autori Craft flet për këto parime:
1.individët e kanë shumë rëndë të përparojnë në shkollën statike,
2.shkollat nuk mund të ndryshojnë  pa u ndryshuar ajo që arsimtarët e bëjnë,
3.nëse arsimtarët përparojnë profesionalisht vetëm në mënyrë individuale, ato gjithsesi nuk do të jenë në gjendje që ta ndryshojnë shkollën e vete,
4.në disa raste kur ndryshojnë shkollat nuk ndryshojnë edhe arsimtarët bashk me to,
5.institucioni arsimor përbëhët nga individ që krahas realizimit të detyrave të veta, kanë mundësi që të mësojnë,
6.arsimimi i mësuesve ose përsosja profesionale e tyre është proces i kontinuar që fillon me ditën e parë dhe mbaron me ditëne fundit  të praktikës profesionale, ky është mësim gjatë tërë jetës,
7.përvetësimi i njohurive të reja dhe ballafaqimi me situatat e reja është me rëndësi të madhe për mësimin gjatë tërë jetës,
8.ndryshimet janë proces dhe jo ngjarje,
9.çdo individ është agjent i ndryshimeve,
10.teoria e ndryshimeve dhe teoria e arsimimit i duhen njëra tjetrës

1.2.Kërkesat për përsosjen profesionale të arsimtarëve


Sipas dokumenteve të OECD-së ( Organizata për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik) që përsosjen profesionale të arsimtarëve e vë në funksion të efekteve arsimore, dallohen këto kërkesa për përsosjen profesionale të arsimtarëve:
- Profesionalizimi është karakteristikë tradicionale e  e arsimtarit të mirë dhe ai ngel me rëndësi të veçantë.Arsimtari i mirë është burim i rëndësishëm i njohurive dhe i të kuptuarit. Por mënyra se si arsimtarët i përvetësojnë njohuritë duhet të ndryshohet: theksi duhet vënë në përsosjen permanente, jo në arsimimin fillestar bazik.
- Shkathtësitë pedagogjike poashtu jane esenciale  por në kontekst të ndryshuar. Në suazat e përcaktimit për përsosjen e përhershme profesionale arsimtarët duhet të jenë kompetent  që të bartin një spektër të gjërë të shkathtësive që nënkuptojnë edhe motivimin për mësim, kreativitetin dhe kooperimin në vend që në rend të parë ta vënë aftësimin për memorim të fakteve ose të suksesit në testim.
- Njohja e teknologjisë është një karakteristikë e re thelbësore e profesionalizmit. Është shumë me rëndësi që teknologjia të kuptohet në aspektin e potencialit pedagogjik dhe të mundësive të integrimit të saj në strategjinë e të mësuarit.
- Kompetenca organizative dhe bashkëpunuese. Profesioni i arsimtarit  më nuk mund të vështrohet vetëm si kompetencë individuale; ai gjithnjë e më tepër inkorporon aftësinë e funksionimit si pjesë të “organizatës për mësim”.
- Fleksibiliteti. Arsimtarët detyrimisht duhet të pranojnë  se kërkesat mund të ndryshojnë disa herë gjatë karierës së tyre profesionale, e jo profesionalizmin ta interpretojnë si pretekst për rezistencë ndaj ndryshimeve.  Kjo gjë nënkupton faktin se arimtari nuk mund të punojë të mërkurën atë që e  ka menduar ditën e hënë pavarësisht se çka ndodhur ditën e martë!


2. ZHVILLIMI DHE PËRSOSJA PROFESIONALE NË SHKOLLË

Duke u nisur nga fakti se zhvillimi profesional dhe përsosja profesionale është punë e vetëdijshme e institucionit për aftësimin e të punësuarve me qëllim të kryerjes më të mirë të detyrave specifike të punës, sidomos të punës mësimore, para shkollës qëndrojnë detyra të rëndësishme në këtë aspekt.Kjo gjë nënkupton atë se institucioni në rastin konkret shkolla duhet të ballafaqohet me përfshirjen dhe udhëheqjen e aktiviteteve të tilla që të punësuarit të aftësohen për rolin të cilin e kanë në shkollë, sidomos kur janë të lidhur me mësimin.
Gjatë procesit të zhvillimit të të punësuarve sipas teoreticientëve  Olroyd dhe Hall duhen respektuar këto hapa:
-analiza e nevojave dhe vërtetimi i qëllimeve
-përcaktimi i detyrave prioritare, i aktioviteteve dhe i burimeve të nevojshme
-dhënia përgjegjësi njerëzve për realizim
-përcjellja dhe vlerësimi i realizimit dhe i zbatimit
-vlerësimi i suksesit dhe i efikasitetit
-shqyrtimi i sërishëm me qëllim të definimit të cilësisë
Në përgjithësi, në shkollat fillore dhe të mesme, procesi i përsosjes dhe i zhvillimit profesional përfshinë:
1.Përpunimin e programit afatgjat të përsosjes profesionale
2.Ndihmën individuale mësuesve në realizimin e planeve të përsosjes
3.Përcjelljen e punës dhe ndihma praktikanëve
4.Përsosjen profesionale didaktiko-metodike të bashkëpunëtorëve të jashtëm
5.Kordinimin e përsosjes së përbashkët profesionale në shkollë dhe jashta saj
6.Mbajtjen e ligjeratave për arsimtarët
7.Organizimin e tribunave profesionale
8.Mbajtjen e orëve praktike
9.Mbajtjen e praktikumeve profesionale metodike
10.Demonstrimin  e mjeteve bashkëkohore mësimore
11.Organizimin e seminareve interne
12.Punë në projekte të ndryshme
13.Pjesëmarrje në konferenca
14.Vizita studimore etj
Zhvillimit dhe përsosjes profesionale të arsimtarëve në shkollë i paraprinë programimi i kësaj veprimtaria që është proces më shumë fazash e që fillon  me hulumtimin e nevojave arsimore dhe përfundon me evaluimin formativ dhe sumativ. Programi i përsosjes profesionale të arsimtarëve duhet t’i refletojë nevojat e të gjithë pjesëmarrësve dhe subjekëve në procesin arsimor: të vet arsimtarëve, nxënësve, shkollës si institucion, prindërve, organeve shtetërore arsimore etj.. Procesin e hulumtimit të nevojave arsimore në funkcion të përpilimit të programit për përsosjen profesionale të arsimtarëve e realizojnë profesionistët, shërbimet pedagogjiko-psikologjike në shkollë, anëtarët e shërbimit zhvillimor të shkollës etj.


Duke folur për përsosjen profesionale të arsimtarëve është e nevojshme që vet popullacionin e mësuesve ta ndajmë në aspektin e nevojave të veçanta të tyre. Një nga dallimet thelbësore të kategorive të ndryshme të mësuesve është dalimi në përvojën e tyre. Në këtë aspekt përsosja profesionale duhet të përshtatet për këto kategori të mësuesve:
l. Mësuesit fillestar. Kyçja e suksesshme e mësuesit fillestar në procesin arsimor mvaret në masë shumë të madhe nga komunikimi, këshillimi dhe udhëheqja e tij. Andaj integrimit të tij social duhet kushtuar rëndësi e veçantë e në këtë kontekst edhe qëndrimi i i kolegëve më të vjetër si burim i zhvillimit profesional të mësuesve pa përvojë është element shumë i rëndësishëm.
2. Mësuesit me përvojë por që kanë nevojë për përsosje të veçantë profesionale. Në këtë kategori hyjnë mësuesit me përvojë relative pedagogjiko-metodike por që kanë nevojë për përsosje në aspektin e aplikimit të formave të reja të punës, teknologjisë së re mësimore, mjeteve të reja mësimore etj.
3. Mësusit me përvojë por që vijnë nga shkollat tjera. Përsosja profesionale e tyre nënkupton forma të atilla të përsosjes që do tu ndihmojnë mësuesve të kësaj kategorie që me sukses tu bashkangjiten kolegëve të tyre në mesin e ri.
4. Mësuesit me përvojë që i rikthehen procesit mësimor. Në këtë kategori hyjnë ata mësues që pas një pauzimi më të gjatë për shkaqe të ndryshme i kthehen procesit arsimor por që kanë nevojë që të njihen me të gjitha risitë arsimore që kanë filluar të zbatohen pas largimit të tyre nga procesi mësimor.
5. Krejtë mësuesit e një shkolle pavarësisht nga përvoja dhe shkalla e arsimit të tyre. Në këtë rast , në persosjen profesionale përfshihen të gjithë arsimtarët e një shkolle, e një cikli, e një drejtimi etj.
Programet për përsosjen profesionale të arsimtarëve dhe vet procesi  përmban tema që kanë të bëjnë me politikën arsimore të shkollës,specifikat e kurikulit, veçoritë e nxënësve, problemet kryesore të punës mësimore, teknikën dhe teknologjinë mësimore, pritjet dhe objektivat specifike që i parashtrohen arsimtarit, mënyrat e komunikimit me nxënës dhe me prindër, etika e profesionit të mësuesisë, njohja me rregulloret e shkollës, marrëdhëniet në mes të arsimtarëve etj.
Format e rëndomta të përsosjes profesionale në shkollë janë
-punëtoritë,
-seminaret interne,
-këshillimet profesionale,
-orët praktike etj.
Këto forma mundësojnë që problemet e caktuara të shqyrtohen në mënyrë intenzive dhe me një numër më të madh të arsimtarëve.
Rormat e ndryshme të përsosjes profesionale në shkollë mund të organizohen në kuadër të:
-aktiveve profesionale
-këshillave të klasave
-këshillit të arsimtarëve
Në kuadër të cilit organ profesional do të organizohet përsosja profesionale interne e arsimtarëve varet para së gjithash nga:
-përmbajtja e temës
-qëllimi që dëshirojmë ta arrijmë

2.1. Analiza e rezultateve nga hulumtimi praktik i  problemit

Me qëllim të hulumtimit të rolit, vendit dhe të përvojave individuale të arsimtarëve nga format e ndryshme të përsosjes profesionale, me një grup të arsimtarëve të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Tetovë, gjatë muajit prill 2006 u organizua një anketë anonime ku arsimtarët kishin për detyrë që tu përgjigjen pyetjeve të pyetësorit  PP.
Me anketim u përfshinë 35 arsimtarë edhe atë:
20 arsimtarë klasor
15 arsimtarë lëndorë.
Struktura gjinore : Meshkuj   15    Femra 20

 

Struktura sipas moshës:
25-30 vj.: 8

31-40 vj.: 17

41-50 vj.: 5

51-60 vj: 5

Struktura sipas përgatitjes profesionale:

Fakultet: 25

AP: 8

Shkollë e mesme: 2

Anketa kishte 11 pyetje dhe pas analizës së përgjigjeve u fituan këto të dhëna dhe konstatime
1. Pyetja e parë kishte të bëjë me atë secili është mendimi i arsimtarëve për atë se me mbarimin e shkollimit përkatës a bëhet përsosje e plotë profesionale.
-    31 arsimtarë ose 88,57%  mendojnë së jo  kurse  11.43% nuk kanë mendim të caktuar.
2. Pyetja e ardhshme ishte: A ndieni nevojë për përsosje profesionale?  
Me PO janë përgjigjur 30 arsimtarë ose  85.71%, me JO 4 arsimtarë ose 11.42% Me “Nuk e dij” 1 arsimtarë.
Paraqitur në mënyrë grafike këto të dhëna duken kështu:

3. Sipas arsimtarëve format më të preferueshme për përsosje profesionale janë
a)    seminaret: 23 arsimtarë
b)    vetarsimimi: 6  arsimtarë
c)    ligjeratat: 3 arsimtarë
d)    orët praktike: 3 arsimtarë


4. Sipas arsimtarëve vendi më i preferuar për realizimin e përsosjes profesionale janë hapësirat shkollore gjegjësisht seminaret interne në shkolla për të cilën përgjigje janë deklaruar 22 arsimtarë ose 62.85% kundrejt 13 artsimtarëve që mendojnë se përsosja profesionale duhet të realizohet në seminaret eksterne në organizim të Byrosë. Mendoj se një mendim i këtillë buron nga shkaku se përsosja profesionale eksterne kërkon më shumë angazhim, kohë por edhe shkaku i kohës kur mbahen seminaret ose këshillimet.
5-6. Pyetja e pestë dhe e gjashtë kishte të bëje me atë se a janë mbajtur seminare interne në shkollë dhe në ç’mënyrë janë organizuar ato.
35 arsimtarë ose 100% prej tyre kanë deklaruar se janë mbajtur seminare interne me ligjerata të shkurtra dhe punëtori.

7. Në pyetjen “ Për cilën kategori të mësuesve mendoni se ka nevojë më të madhe për përsosje profesionale? Përgjigjet janë si vijojnë:

8. Për efektin e përsosjes profesionale në rritjen e cilësisë së mësimit përgjigjet janë si vijojnë:
a)  i madh          27 arsimtarë ose  77.14%
b) i dukshëm     8 arsimtarë ose  22.86%


9. Pyetja e nëntë  ishte: “Sipas mendimit tuaj cili është shkaku që ndonjëherë të jeni ndier të zhgënjyer nga ndonjë formë e përsosjes profesionale?”
Sipas përgjigjeve del se  42.85% e arsimtarëve  këtë e shohin në organizimin e dobët të  kurse 57.15% këtë zhgënjim e shohin si pasojë të mospërgatitjes sa duhet të ligjëruesve.


10. Në pyetjen se cili organ profesional  në shkollë është më i përshtatshëm  ku mund të të realizohet përsosja profesionale e arsimtarëve 57.14% e arsimtarëve(20) janë deklaruar se ky organ është Këshilli i arsimtarëve, 8 arsimtarë ose 22.85% janë deklaruar për Këshillin e klasave kurse 20%(7) janë deklaruar për aktivet profesionale


11. Pyetja e fundit  kishte të bëjë me prioritetet  në përsosjen profesionale sipas listës së dhënë.

2.2.Rezime nga hulumtimi
Nga rezultatet e fituara pas përpunimit të të dhënave mund të përfundojmë se:
1.    Me arsimin bazik nuk përfundon edhe nevoja e përsosjes permanente të arsimtarëve;
2.    Përsosja profesionale mund të realizohet edhe përmes formave të ndryshme organizative në shkollë;
3.    Përsosja profesionale dhe pjesëmarrja e arsimtarëve në forma të ndryshme të ngritjes profesionale ndikon në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies;
4.    Organizimit të seminareve interne duhet qasur me seriozitetin më të madh si nga aspekti organizativ ashtu edhe nga aspekti i përgatitjes profesionale të ligjëruesve dhe moderatorëve;
5.    Janë të shumta dhe të llojllojshme problemet që arsimtarët i kërkojnë si tema boshte në procesin e ngritjes  dhe të përsosjes profesionale.


PËRFUNDIM
Problemi i përsosjes profesionale të arsimtarëve është një nga problemet më të rëndësishme të praktikës sonë mësimore. Kjo veprimtari, sa individuale aq edhe institucionale, i mundëson arsimtarit që të jetë në hap me kohën, që t’i përcjellë trendet bashkëkohore në arsim, kurse shkolla u përshtatet nevojave dhe kërkesave të nxënësve të epokës postindustriale.
Përsosja profesionale e arsimtarëve nuk nënkuptohet si shtojcë të arsimimit në shkollë por ajo buron nga karakteri i arsimimit, nga jeta reale, duke krijuar një tërësi organike.
Në këtë punim jam munduar që të potencoj se mësuesi nuk është më përcjellës pasiv i ngjarjeve, por subjekt aktiv i ndryshimeve.
Kompleksiteti i përsosjes profesionale të arsimtarëve është pasojë e dinamikës së funksionit të tij që nuk duhet nënkuptuar vetëm si “riarsimim” por si rikonstruim të arsimimit paraprak të tij.Në kushtet e reja nga arsimtari gjithnjë e më tepër kërkohët që ai të jetë mik, njeri me besim, këshilldhënës, demonstrator,model, nxitës, kordinator, mediator, opservues, evoluator… dhe gjithnjë duke vënë raporte kualitative në relacion me nxnënësin.
Problemi në fjalë është shumë kompleks por karakteri i punimit nuk na jep hapësirë që ai të vështrohet dhe të analizohet nga shumë këndvështrime dhe me qasje multidisiplinare.
Në këtë rast është bërë një qasje në dy aspekte: në aspektin teorik si domosdoshmëri për hyrje në problem dhe në aspektin e studimit praktik të problemit me realizimin e një ankete të shkurtër për problematikën në fjalë me një grup arsimtarësh klasor dhe lëndor.



LITERATURA

1.    Konstantin Petkovski-Marjana Aleksova: Vodenje na dinamicno uciliste, Shkup 2004
2.    Dr.Cveta Razdevcek Pucko: Kakvog ucitelja treba skola danas? Ljublana, 2002
3.    Kiro Popovski: Uspesen nastavnik, Shkup, 1998
4.    Irena Xhezhgovska: Menaxhimi dhe udhëheqja efikase e shkollave, Shkup, 2004
5.    Program për provimin e drejtorëve: DREJTORI SI UDHËHEQËS PEDAGOGJIK, Shkup, 2006
6.    Elizabeta Tomevska: Potreba od strucno usovrsuvanje na nastavnicite, Prosveten rabotnik br.898 Shkup 2002
7.    M-r Violeta Naumovska: Profesionalnoto usovrsuvanje na nastavnicite vo zemjite od Evropskata Unija, Prosveten rabotnik br.899, Shkup 2002
8.    Profesionalna obuka i usavrsavanje nastavnika – analiza potreba: www.soros.org.ba/docs - obrazovanje

 

 

Online

We have 4 guests online

Statistikë

Members : 1
Content : 60
Content View Hits : 133068

Webmail

Copyright © 2011. Sh F Naim Frasheri. Designed by STR